Kosova u furnizua me oksigjen nga një fabrikë private në Serbi

Dy maune të ngarkuara me bombola të gazit mjekësor kanë hyrë sot nga Serbia në Kosovë.

Ato janë blerë nga institucionet shëndetësore të Kosovës në përpjekje për të përballuar kërkesën e shtuar për oksigjen mjekësor nëpër spitalet e vendit, si pasojë e rritjes së rasteve me COVID-19.

Bazuar në një video të siguruar nga pikëkalimi kufitar në Jarinjë, Gazeta Insajderi ka raportuar sot për kalimin e mauneve të ngarkuara me bombola gazi mjekësor.

Por, një video tjetër që shfaq një bombolë të gazit në ambientet e QKUK-së, konfirmon se ky produkt është prodhim i një fabrike serbe të gazrave me bazë në Kralevë, qytetin jugor të Serbisë, raporton Gazeta Insajderi.

Bëhet fjalë për kompaninë private Messer Tehnogas, e cila përveç gazit mjekësor, merret edhe me prodhimin dhe shpërndarjen e gazrave industriale. Ajo konsiderohet të jetë njëra nga kompanitë më të mëdha të kësaj industrie në rajon.

Hyrjen e bombolave të gazit në Kosovë të hënën e ka konfirmuar edhe Adriatik Stavileci, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, mirëpo pa e bërë të ditur numrin e saktë të bombolave.

“Origjina është e Serbisë, kanë hyrë nuk kanë ndonjë ndalesë. Sasinë nuk e di, por ka edhe origjina të tjera të oksigjenit, mirëpo një sasi është e Serbisë”, ka thënë Stavileci për Gazetën Insajderi të hënën.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës lidhur me blerjen e bombolave të oksigjenit nga Serbia, por nuk ka marrë përgjigje nga ky institucion gjatë të hënës.

As Ministria e Shëndetësisë nuk ka njoftuar për furnizimin me gazin mejkësor të kompanisë private serbe, ndonëse Dogana e Kosovës tha sot se ky produkt ka hyrë brenda territorit të Kosovës tash e pothuajse një javë