Lajçak nuk arrin ta bind Kurtin që dialogu të jetë prioriteti i parë i qeverisjes së tij

Ka përfunduar takimi i përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurtit, që u mbajt në selinë e kësaj partie.

Gjatë këtij takimi, Kurti duket se nuk është bindur me Lajçakun që dialogu të jetë prioriteti i parë ose i dytë.

“Më informoi me procesin e dialogut në përgjithësi. Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë”, tha ndër të tjera Kurti.

Po ashtu, Kurti tha se nuk e mohon rëndësinë e dialogut, por që sipas tij ai duhet të jetë i sinqertë e i përgatitur mirë.

“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – edhe për BE-në, Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”, shtoi ndër të tjera ai.