Kosova pranon kredi prej 35 milionë eurove për mbështetjen e sektorit shëndetësor pas pandemisë

Kosova ka nënshkruar marrëveshjen për kredi me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për projektin “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”, në vlerë prej 35 milionë eurove,

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook.

Siç njoftoi Bajrami, kjo marrëveshje do të financojë pajisje mjekësore sipas nevojave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së, si dhe do të financojë në mënyrë retroaktive linjat buxhetore për masat 6 dhe 7 të pakos emergjente sa i përket mbështetjes për sektorin shëndetësor.

“Ministria e Financave ka punuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë për të ofruar mbështetjen e nevojshme që të përmirësohet ndjeshëm trajtimi dhe kapacitetet e sistemit shëndetësor për të forcuar qëndrueshmërinë dhe kualitetin e shërbimeve shëndetësore. Në veçanti, kjo marrëveshje do të financojë pajisje mjekësore sipas nevojave të MSH-së dhe SHSKUK-së, si dhe do të financojë në mënyrë retroaktive linjat buxhetore për masat 6 dhe 7 të pakos emergjente sa i përket mbështetjes për sektorin shëndetësor”, ka shkruar ajo.

Më tej, ministrja Bajrami shtoi se kjo është kredia e parë sovrane me BZHKE-në që do t’i japë mbështetje masave dhe do t’i vë në dispozicion sistemit shëndetësor resurse të cilat nuk i ka pasur që nga paslufta.