Kosova fiton turneun ndërkombëtar në Sofje, e mposht Bullgarinë në finale

10 prill, 2023 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka triumfuar në turneun ndërkombëtar të zhvilluar në Sofje.

Në ndeshjen finale, Dardanet kanë mposhtur Bullgarinë, me rezultat të ngushtë, 1:0. Paraprakisht me të njëjtin rezultat në gjysmëfinale, Kosova kishte fituar ndaj Letonisë.

Golin e fitores për Dardanet në ndeshjen finale e realizoi kapitenja, Erëleta Memeti, në minutën e 16-të pas një kundërsulmi të shpejtë.

Ajo si zakonisht e shfrytëzoi shpejtësinë e saj dhe me gjuajtje të saktë nga zona e dërgoi topin në portën kundërshtare. Pas kësaj epërsie të përzgjedhurat e Anneli Anderson e menaxhuan mirë lojën.

Ato patën edhe disa raste tjera shënimi, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe kësisoj Koaova iu gëzua me plotë meritë triumfit në këtë turne.

Njëherësh Erëleta Memeti u zgjodh edhe lojtarja më e mirë e turneut.

Këto dy ndeshje dhe ato të zhvilluara në muajin shkurt do t’i ndihmojnë kombëtares për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e ardhshme kualifikuese.