Kosova do ta ketë shumë të vështirë ta përballojë rritjen e të infektuarave me COVID-19

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka deklaruar se Kosova do ta ketë shumë të vështirë të përballojë rritjen e fluksit të të infektuarve me koronavirus,  veçanërisht për personat të cilët kanë nevojë për hospitalizim.

Hoti thotë se rritjet e rasteve po e ngarkojnë infrastrukturën spitalore dhe personelin shëndetësor, ndërsa kërkoi nga qytetarët që të zbatojnë rekomandimet e IKShP-së dhe MSh-së që situata të shkojë drejt qetësimit.

“Çdo rritje e numrit të rasteve pozitive me Covid-19 e ngarkon infrastrukturën spitalore dhe personelin shëndetësor. Ndryshe është të veprohet me gjysmë kapacitete e ndryshe kur kërkohen edhe vullnetar që të mobilizohet stafi për t’i dalë në ndihmë qytetarëve për hospitalizim”, ka thënë Hoti.

Me tej, Hoti tha se nëse qytetarët dhe bizneset respektojnë rekomandimet, atëherë do të jetë më e lehtë parandalimi i pandemisë, raporton EO.

“Të shohim një rënie të rasteve, sepse nëse vazhdon ky trend Kosova do ta ketë shumë më të vështirë që të përballojë rritjen fluksit që rezultojnë pozitiv e më e keqja atyre që kanë nevojë për mjekim”, u shpreh Hoti./