Korrja e grurit, njohësit skeptikë nëse ky vit do të jetë më i begatë

Fushata e korrje-shirjeve të grurit sivjet është shtyrë për disa ditë, shkaku i mospjekjes së plotë të grurit. Njohës të bujqësisë shprehin skepticizmin se fushata e sivjetme do të mund të jetë më e begatë sesa ajo e një viti më parë.

Ndërkaq në Shoqatën e Mullisëve shprehin drojë se shiu mund të ketë ndikim negativ edhe në rendiment
Reshjet e shumta të shiut gjatë muajve të fundit kanë ndikuar që rendimenti i grurit në shumë regjione të Kosovës të mos jetë ende gati për shirje. Derisa në regjionin e Prizrenit ka filluar fushata e korrje-shirjeve, në komunat e tjera nisja pritet veç pas pjekjes së grurit.

Njohës të bujqësisë shprehen skeptikë se ky vit mund të jetë më i begatë se ai i mëparshmi, ani se pati më shumë sipërfaqe me të mbjella.

Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve, ka thënë se me gjithë që reshjet kanë pasur ndikim negativ, rendimenti varet edhe nga masat e ndërmarra nga fermerët.

“Ka ndikim edhe si fermeri e ka trajtuar grurin gjatë kësaj faze, a është spërkatë, a ka sëmundje. Ne mendojmë se ka ndikuar në shumë regjione që sëmundjet të ndikojnë negativisht në këtë rendiment, presim të fillojmë dhe të marrim informacione më të sakta”, ka thënë ai.

E profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka thënë se kushtet klimatike e prolonguan afatin e të mbjellave të kulturave pranverore dhe shtynë vegjetacionin e kulturave që janë mbjellë në vjeshtë, veçmas grurin. Por ai shton se nuk pret të ketë dallim të madh nga vitet e shkuara, sa i përket prodhimit.

“Sa i përket prodhimit nuk do të ketë dallueshmëri të madhe nga vitet e kaluara. Te rastet individuale apo fermerët komercialë që kanë zbatuar agro-teknik të duhur dhe masa të përkujdesjes gjatë vegjetacionit të njëjta ngastra kultivuese nuk kanë qenë shumë të atakuara në raport me fermerët e vegjël që nuk kanë zbatuar spërkatje veçanërisht për sëmundje dhe dëmtues, por e kanë bërë vetëm për barishte, të njëjtin tek masat e sëmundjeve mund të ndikojë në reduktimin e prodhimit të përgjithshëm”, ka deklaruar profesori Rusinovci.

Ai ka thënë se vërshimet që kanë prekur disa komuna kanë ndikuar edhe në kultura të tjera bujqësore.

“Dëmet janë më të mëdha aty ku uji stagnues ka qëndruar më gjatë dhe e kundërta. Mendoj që çdo vit si ka qenë ky i sivjetshëm më reshje kontinuele të shpërndara jo uniformisht në raport me vitet e kaluara, mundësia e paraqitjes së invazioneve të sëmundjeve dhe dëmtuesve është më e madhe”, është shprehur Rusinovci.

Nga Ministria e Bujqësisë kanë njoftuar se gjatë një takimi të mbajtur me palët është arritur pajtimi që të mos niset me korrje-shirje, para pjekjes së plotë të grurit. Në takim është përcaktuar gjithashtu që çmimi i korrje-shirjeve do të jetë 130 euro për hektarë. Sipas të dhënave të ministrisë, në vjeshtën e 2022-tës janë mbjellë 71 mijë hektarë sipërfaqe me grurë.