Koronavirusi ua mori jetën nëntë policëve të Kosovës, 200 janë të infektuar

Në përballje me pandeminë COVID-19, Kosova ka humbur nëntë pjesëtarë të Policisë, ndërsa 200 të tjerë janë ende aktiv me këtë virus.

Mbrëmë u konfirmua vdekja e policit nga Peja, Ali Çelaj, i cili ishte i infektuar me koronavirus, duke shënuar viktimën e nëntë nga ky infeksion në Policinë e Kosovës.

Zv/drejtori i Policisë në Rajonin e Pejës, Veton Elshani, tha se është shqetësues numri i të prekurve me koronavirusin e ri në Policinë e Kosovës.

“Ne i kemi pasur [Rajoni i Pejës] 27 policë të prekur nga COVID-19. Dy prej tyre fatkeqësisht kanë ndërruar jetë, ndërsa 25 tjerë janë të sëmurë apo e kanë kaluar tashmë këtë sëmundje. Situata është e tillë në gjithë botën dhe ne po bëjmë përpjekje të ruhemi sa të kemi mundësi që të mos infektojmë personat që janë me sëmundje shoqëruese apo familjarët tonë që i kemi në shtëpi, njëkohësisht duke kryer punën tonë sipas ligjit”, ka thënë Elshani për RTV Dukagjinin.

Kujtojmë se, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë konfirmuar 119 raste të reja me koronavirus, ndërsa numri total i të prekurve ka shkuar në 13 mijë e 100. Nga kjo shifër, 9 mijë e 239 pacientë janë shëruar, ndërsa 499 kanë vdekur. /