KOMUNA E KLINËS KAMPIONE NË KOSOVË NË VLERËSIMIN PËR TRANSPARENCË BUXHETORE ME 100%

KOMUNA E KLINËS KAMPIONE NË VLERËSIMIN PËR TRANSPARENCË BUXHETORE ME 100%

Të nderuar qytetarë,

Kam kënaqësinë të ndaj një SuperLajm me ju, që ka të bëjë me vlerësimin e punës dhe transparencës që ka komuna e Klinës ndaj qytetarëve.

Instituti GAP, i cili ka një përvojë të gjatë në vlerësim të punës së institucioneve dhe besueshmëri të lartë në vlerësimet profesionale që bënë, ka publikuar sot raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2024”, ku komuna e Klinës është vlerësuar me 100% për nivelin e transparencës buxhetore.

Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e Klinës, i cili tregon se ne si të zgjedhur të tyre, si dhe zyrtarët e administratës, po angazhohemi që të kemi një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse ndaj tyre.

Një vlerësim i tillë mua si kryetar, kabinetin tim dhe zyrtarët e komunës, të cilët i falënderoj për angazhimin, na bënë krenar, por është një motivim shtesë që vazhdojmë të punojmë duke respektuar e dëgjuar zërin e qytetarëve, kërkesat e tyre dhe normat ligjore.

Kjo nuk është hera e parë që komuna jonë e arrin këtë rezultat. Që nga fillimi i qeverisjes kemi shënuar përmirësime në këtë aspekt. Me punë të madhe e profesionale, me përkushtimin e secilit, ne kemi arritur në këtë nivel ku komuna jonë po bëhet model i qeverisjes transparente në nivel vendi.

Qytetarët e Klinës e meritojnë një qeverisje të tillë, transparente e llogaridhënëse. Ne do të vazhdojmë të forcojmë mekanizmat e transparencës dhe të përfshirjes qytetare, sepse besojmë fort se qeverisja e mirë ndërtohet përmes besimit dhe bashkëpunimit me qytetarët.