Komuna e Klinës dhe Universiteti “Haxhi Zeka” forcojnë partneritetin për zhvillim dhe përgatitje profesionale të studentëve

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka pritur në një takim përfaqësues të Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit institucional dhe mbështetjes së zhvillimit lokal, shkruan Klina info.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në komunë, si dhe për aktivitetet strategjike të universitetit, duke theksuar interesin e përbashkët për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Njoftimi i plotë:

KOMUNA E KLINËS DHE UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” DREJT ZGJERIMIT TË BASHKËPUNIMIT PËR ZHVILLIM LOKAL DHE PËRGATITJE PROFESIONALE TË STUDENTËVE

Sot, së bashku me drejtorin e Arsimit, Qemajl Sejdija, prita në takim rektorin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Prof. Dr. Armand Krasniqi, si dhe Luan Lulaj, drejtor i Zyrës Ligjore të universitetit.

Gjatë takimit diskutuam për zhvillimet më të fundit në Komunën e Klinës dhe për aktivitetet strategjike të universitetit, duke theksuar interesimin e përbashkët për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy institucioneve. Në veçanti u diskutua bashkëpunimi përmes FERD, Forumit për Zhvillim Ekonomik Rajonal dhe Institutit për Shkencë dhe Arte (ISHA), ku Universiteti “Haxhi Zeka” mund t’i ofrojë Komunës së Klinës shërbime profesionale dhe raporte hulumtuese që mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në planifikimin dhe zhvillimin e politikave komunale, si dhe në avancimin e projekteve zhvillimore në nivel lokal.

Po ashtu, theksova gatishmërinë që Komuna e Klinës të jetë e hapur për pranimin e studentëve në programe të punës praktike, duke kontribuar në përgatitjen e tyre profesionale dhe në ndërlidhjen më të fortë të arsimit të lartë me nevojat reale të tregut të punës.