Esat Raci: Gjithmonë dera e zyrës dhe shtëpise sime ka qenë e hapur për të gjithë, pa dallime partiake

Kandidati për kryetar të Klinës nga radhët e PDK-së, Esat Raci përmes një postimi të bërë në rrjetin social FB ka thënë se asnjëherë nuk e ka kthyer shpinën ndaj problemeve, nevojave dhe vështirësive me të cilat është përballur qytetari.

Derisa ka shtuar se gjithmonë dera e zyrës dhe e shtëpisë së tij ka qenë e hapur për të gjithë nevojtarët, pa dallim përkatësie partiake, që kanë menduar se mund të ju bëjë zgjidhje.

“E dinë të gjithë ata që më kanë trokitur në derë se si i kam pritur dhe sa jam munduar që të gjejmë zgjidhje. Bujarinë e mikpritjen që kam dhënë po e gjejë dy herë më të madhe këtyre ditëve të vizitës sime derë me derë nëpër fshatra e vendbanime, me qëllim takimin dhe dëgjimin e tyre, për kërkesat dhe sugjerimet që ata kanë.
Dua që përzemërsisht t`i falënderojë të gjithë qytetarët për mikpritjen, bujarin, dashamirësinë dhe mbështetjen që më kanë ofruar në çdo takim. Si gjithmonë vlerësojë shumë mendimet dhe sugjerimet e tyre. Në platformën time qeverisëse do të mundohem t`i përfshijë të gjitha kërkesat e qytetarëve, bizneseve, bujqve dhe lokaliteteve, duke i konvertuar në projekte të prekshme dhe të realizueshme, brenda mundësive që ofron buxheti i Komunës”, shkruan Raci.

Në fund ai thotë se afërsia me qytetarët i jep besimin e fort se, bashkë mund të krijojnë një qeverisje të mirë e cila ofron përparim për të gjithë qytetarët.

“Faleminderit secilit prej jush dhe të gjithë juve së bashku, për pritjen dhe mbështetjen që më keni dhënë vazhdimisht dhe që po me jepni edhe sot në këtë garë”, përfundon postimin Raci.