Klinë: Përkujtohet 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorit të kombit Kolë Ndrecë Mirdita

Sot në Zllakuqan është përkujtuar 27-vjetori i rënies heroike të dëshmorit të kombit Kolë Ndrecë Mirdita, i cili humbi jetën më 1998 në pritën e njohur në “Rrasë të Zogut”, në kufirin shqiptaro-shqiptar, gjatë një operacioni furnizimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë përvjetor, përfaqësues të institucioneve komunale, bashkëluftëtarë dhe familjarë të dëshmorit bënë homazhe pranë pllakës përkujtimore në fshatin Zllakuqan, ku Kolë Ndreca u nderua për sakrificën e tij për liri.

Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, dhe Nënkryetarja Marqe Selmanaj, të cilët shprehën respektin dhe mirënjohjen institucionale për jetën dhe veprën e dëshmorit.

“Kolë Ndreca, vetëm 22 vjeç, zgjodhi luftën në vend të heshtjes dhe lirinë në vend të robërisë. Ai është një nga ata të rinj që me gjakun e tyre vunë themelet e shtetit tonë të lirë dhe të pavarur,” – tha Kryetari Elezaj.

Kolë Ndreca ra heroikisht më 1998, bashkë me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, në një pritë gjatë kthimit nga Shqipëria, ku kishin shkuar për furnizim me armë dhe municion.
Ata i’u përgjigjën armikut burrërisht, me pushkë në dorë, duke dëshmuar vendosmërinë e popullit shqiptar për liri.

Për familjen, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që morën pjesë në homazhe, kujtimi për Kolën mbetet i gjallë – jo vetëm si pjesë e historisë, por edhe si shembull frymëzimi për brezat që vijnë.