Klina përkulet me nderim: Akademi përkujtimore dhe rivarrim solemn për martirët e masakrës së Kralanit

Nesër (e premte, 27 shkurt) Komuna e Klinës organizon akademi përkujtimore dhe ceremoninë e rivarrimit të martirëve Masar Dushi, Fadil Elezi dhe Bali Gashi, shkruan Klina info.

Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, aktivitetet do të zhvillohen sipas agjendës së publikuar: Homazhet në ora 11:30, Akademia Përkujtimore në ora 13:00 në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, Ceremonia e rivarrimit në ora 14:00 te Varrezat e Dëshmorëve “Kodra e Kuqe”.

Trupat e martirëve u gjetën pas më shumë se dy dekadash pritjeje dhe dhimbjeje, në varrezat masive në Bishtazhin, ndërsa procesi i identifikimit u realizua përmes analizave shkencore.

Masakra e Kralanit kishte ndodhur më 4 prill 1999 gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ngjarja organizohet për të nderuar jetën dhe sakrificën e martirëve dhe për të mbajtur gjallë kujtesën historike të vendit.