Klina në karantinë, flet kapiteni i Dukagjinit

Kapiteni i Dukagjinit, Altin Merlaku, ka folur për situatën e krijuar në Klinë, vend që është izoluar që nga mbrëmja e së premtes për shkak se një person që ka qënduar në këtë Komunë, është me coronavirus, 
Meraku ka thënë për Infokusin se deri të premten kanë stërvitur e më pas gjithçka është pezulluar.

“Deri të premten kemi stërvitur dhe në mbrëmje e kemi kuptuar se nuk do të zhvillohet ndeshja kundër Llapit. Mendoj se është vendim i mirë nga Qeveria që ndeshjet janë pezulluar. Si qytet jemi të izoluar dhe mendoj që izolimi mund të jetë ndihmesë e mospërhapjes se virusit. Duhet të kemi kujdes të shtuar në ditët në vazhdim dhe ta kalojmë këtë sfidë. Gjatë së shtunës, kemi qëndruar brenda gjatë gjithë kohës” tha Merlaku.

Sulmuesi i krahut, thotë se duhet të kenë parasysh rekomandimet e ekspertëve të mjekësisë, pasi sipas tij, shëndeti është në rend të parë.

“Si sportist, mendoj që së pari ka rëndësi shëndeti, të cilin duhet ta ruajmë. Duhet të kemi kujdes të shtuar dhe ti përmbahemi rekomandimeve që japin mjekët. Kuptohet karantina e tillë nuk është e lehtë, por e nevojshme dhe duhet ta kalojmë për ta shmangur virusin”, tha Merlaku.

Klina, Vitia dhe Malisheva, janë tri qytetet që janë izoluar për shkak se personat e prekur nga coronavirusi janë nga këto qytete.