Kishte rrezik të përhapej edhe tek një pompë e derivateve, lokalizohet zjarri në ETC në Klinë

Në orët e para të mëngjesit supermarketi “ETC” që gjendet në Klinë është kapluar nga flakët, ku së fundmi bëhet e ditur se falë zjarrfikësve zjarri është lokalizuar dhe nuk ka persona të lënduar.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Fadil Gashi i cili njoftoi se të gjitha njësitet dolën në vendin e ngjarjes, pas njoftimit nga sigurimi i “ETC-së”.

“Sot rreth orës 6:30 të mëngjesit policia është njoftuar nga sigurimi se zjarri e ka kapluar qendrën tregtare ETC në Klinë. Ka dalë në vendngjarje, zjarrfikësit janë aty. Nuk ka persona të lënduar”, ka thënë Gashi në orët e para të ngjarjes,

Ndërsa pak më herët, Gashi bëri të ditur se ky zjarr ka arritur të lokalizohet, teksa potencoi se “ka qenë rrezik që edhe pompa e benzinës të merrte flakë”.

“Zjarri është lokalizuar. Nuk ka të lënduar. Ka qenë rrezik që edhe pompa e benzinës të merrte flakë, por për fat të mirë zjarrfikësit nga të nga Klina Peja Gjakova e Istogu kanë bërë një punë të mirë dhe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin”, ka thënë Gashi.