Kijevë-Zahaq/ Dollc-Gjakovë/ Komoran-Drenas/ Prizren-Tetovë/ Durmishi tregon të rejat e fundit për këto projekte

Projekte të shumta në fushën infrastrukturore kanë angazhuar Dikasterin e infrastrukturës, në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Në një intervistë për Indeksonline-n, Hysen Durmishi, zëvendësministër, thotë se projekte si rruga Kijevë-Zahaq dhe Dollc-Gjakovë janë projekte të rëndësishme për Qeverinë…

Durmishi pohon se viti 2023 mund të konsiderohet i suksesshëm meqë është punuar në të gjitha projektet që kanë pasur si dikaster dhe se pritet që deri në fund të vitit të arrihet në afro 70 për qind të shpenzimeve nga buxheti i paraparë.

“Ne patëm anuluar projektin që ka qenë autostradë e tipit të mbyllur, nga Kijeva deri në Zahaq të Pejës, sepse kemi pasur projekt të zgjerimit të rrugës ekzistuese në katër korsi- shirita dhe kemi filluar procedurat e prokurimit. Aktualisht jemi në fazën para shpalljes së fituesve për segmentin nga Kijeva deri në Dollc. Në momentin që të nënshkruhen këto kontrata, do të fillojmë punimet. Meqë jemi në prag të sezonit të dimrit, nuk besoj se do të mund të kemi zhvillim të punimeve me dinamikë të shtuar gjatë këtij viti. Por, menjëherë në fillim të vitit të ardhshëm , atje do t’i nisim punimet. Buxheti që është votuar në qeveri e që do të votohet edhe në Kuvend, ne e kemi paraparë buxhetin për vazhdimin e rrugës pastaj nga Dollci deri në Zahaq”, ka deklaruar Durmishi për Indeksonline-in.

Lidhur me këtë, Qeveria dje miratoi vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjërimi i Rrugës Nacionale N9 Kijevë- Zahaq, Segmenti Kijevë –Dollc.

Problem ministrisë është duke i paraqitur procesi i shpronësimit në rrugën Dollc-Gjakovë dhe Komoran-Drenas. Më saktësisht, ministria është duke pasur vështirësi në gjetjen e dokumentacioneve të shpronësimeve të viteve ’70-të.

“Problemet i kemi edhe me zgjidhjen e nyjave, ku bëhen lidhjet nga rrugët lokale në këtë rrugë. Pa përfunduar shpronësimet, nuk po mund t’i realizojmë sepse nuk po na lejojnë banorët që kanë prona aty”, tha Durmishi duke premtuar përfundimin e rrugës Dollc-Gjakovë gjatë vitit të ardhshëm.

Durmishi ka folur edhe për projektin e rrugës Prizren-Tetovë, duke thënë se projekti varet nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut.

“Aktualisht jemi në fazën para nënshkrimit të marrëveshjes për financimin e tunelit. Jemi pajtuar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut që tunelin ta bëjmë të përbashkët. Ndërkohë, rrugët deri te tuneli, pjesën e Kosovës e përfundojmë ne, ndërsa pjesën në territorin e Maqedonisë së Veriut e përfundon Qeveria atje. Ne e kemi shpallur tenderin për ndërtimin e rrugës nga dalja jug e autostradës “Ibrahim Rugova” e deri te tuneli, që kostoja e përafërt është diku 35 milionë euro dhe jemi në procedurë të prokurimit. Gjatë këtij muaji është afati kur dorëzohen ofertat, bëhet vlerësimi dhe pastaj nënshkruhen kontratat. Po shpresoj që shpejt të nënshkruhen kontratat dhe të nisin punimet, që ta përfundojmë ne pjesën tonë si qeveri.”

Durmishi thotë se procedurat për ndërtimin e tunelit janë paksa më të ndërlikuara, por që nuk kanë munguar takimet dhe bashkëpunimi ndërqeveritar midis dy vendeve.