Kërkohet një grua nga Gjurgjeviku i madh e zhdukur gjatë luftës, por pa rezultate

Familjarët e një gruaje të zhdukur nga fshati Gjurgjevik i Madh, në komunën e Klinës, kanë vazhduar kërkimet për zbardhjen e fatit të saj, e cila rezulton e zhdukur që nga koha e luftës në Kosovë.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite, familja nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar lidhur me vendndodhjen apo fatin e saj, duke mbetur në pritje dhe pasiguri.

Së fundmi, në një lokacion të caktuar janë zhvilluar kërkime nga institucionet përkatëse, me përfshirjen e zjarrfikësve, të cilët kanë kryer kontrolle në nje bunarë.

Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Shoqatës së të Pagjeturve, dega në Klinë, të cilët kanë ndjekur nga afër procesin e kërkimeve.

Megjithatë, edhe këto kërkime kanë përfunduar pa rezultat.

Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti mbetet i hapur dhe se hetimet mund të vazhdojnë nëse sigurohen informacione të reja.

Familjarët vazhdojnë të shpresojnë në zbardhjen e së vërtetës, duke kërkuar drejtësi për një nga shumë rastet ende të pazgjidhura të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë./ Klina info/