Karim Benzema, fitues i Topit të Artë

Karim Benzema e ka fituar Topin e Artë.

Askush nuk mund ta mposhtte Karim Benzemanë në garën për fitimin e “Topit të Artë”. Nuk ekzistonte dyshimi më të vogël se dikush tjetër mund t’ia rrëmbente sulmuesit francez të Realit të Madridit këtë çmimin individual.

Karim Benzema shpallet lojtari më i mirë i sezonit të kaluar nga revista prestigjioze “France Football”, duke lënë pas Kevin De Bruyne, Robert Lewandowskin dhe Sadio  Manenë.

Në fakt, me kriteret e reja të vendosura për këtë trofe, triumfi i 34-vjeçarit ishte formalitet.

Sepse sezonin e kaluar ishte fitues i La Ligas, Championsit, Superkupës së Spanjës, Superkupës së Europës dhe Nations League me Francën. Ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll me 27 gola, “bomberi” i Championsit me 15 finalizime dhe dy gola në Superkupë për një total prej 44 golash në nivel klubesh.

Më këtë triumf të Benzemasë mund të thuhet se është thyer përfundimisht hegjemonia e Lionel Messit dhe Cristiano Roaldos, që në këtë edicion ishin shumë larg triumfit (Messi as në 30-she, Ronaldo i 20-ti).