Kapen në flagrancë duke shitur marihuanë në Klinë – Një i ndaluar 48 orë, tjetri lirohet

Një aksion policor i realizuar më 19 dhjetor 2025 në qytetin e Klinës ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope.

Gazeta Sinjali mëson se rreth orës 16:30, gjatë një plani operativ, patrulla policore ka hasur në rrugën “Muhamet Haxhaj”, konkretisht në parkingun e ALBI-Market, ku dy persona janë kapur në flagrancë duke kryer shitblerje të marihuanës.

Të dyshuarit janë D. N, 25 vjeçar, dhe A. B, 36 vjeçar.

Gjatë kontrollit trupor dhe të automjeteve të tyre, te i dyshuari i parë janë gjetur 6 qese me marihuanë, me peshë totale rreth 6 gramë, ndërsa te i dyshuari i dytë janë gjetur 0.7 gram marihuanë, pa paketim.

Të dy janë arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor në Klinë. Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, është kryer edhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit të parë, ku prindi i tij kishte në posedim një armë gjuetie. Lidhur me armën, është proceduar rast i veçantë dhe Prokuroria është njoftuar,

Me vendim të Prokurorit, ndaj D. N. është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa A. B. është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për këtë rast janë në vazhdim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.