Jetulla Pantina Letër komandantit të vdekur

Letër komandantit të vdekur

Komandant,
Nuk po t’shkruj me dorë të lehtë. M’dridhet lapsi, jo prej frikës, por prej mllefit.
E di që s’të arrin kjo fjalë në varr. E di që sytë e tu s’shohin ma.
Por shpresoj që shpirti yt nuk është bërë pluhur kot.

Se, nëse po na sheh, po ta them drejt: po na vjen marre.
Ti, që s’kursyve as gjak, as rini, as jetën.

Ne, që mbijetuam, po jetojmë nën hijen e asaj lirie që sot s’ka as ngjyrë, as shije.
E shteti për të cilin ti dhe shumë si ti e latë zemrën nëpër male, sot është kthyer në pazar hajdutësh.

Kuvendi që duhej të ishte zëri i popullit, nuk arrin as të mblidhet.

As me u mbledh nuk po munden. E ti e di sa vështirë është me u mbledh në kohë lufte, por atëherë dilnim për flamur. Sot rrinë për tender.

Ne që u kthyem gjallë, nuk po dimë çka me ua thanë fëmijëve. Na kanë katandisë komandant. Paga të ulëta, çmime që veç në treg lufte i sheh. Me ble një shampoo, duhet me kalkulu a me heq dorë prej bukës.
Jetë e zorshme komandant. Kredi mbi kredi, shpenzime që na kanë lidhë duart e këmbët. Po jetojmë me frikë nga java në javë.

E politikanët?
Ata janë t’lirë. Lirë me mashtru, me vjedh, me jetu në luks.
Milionerë – jo me punë, por me vota. Jo me meritë, por me lidhje.
Na e nxinë jetën komandant.
Ti e dhurove jetën për këtë vend. Ata e morën si plaçkë.
Na e kthyen lirinë në ankth.

Ti kishe një armë. Ata kanë pasaporta diplomatike.
Ti kishe betim. Ata kanë koncesione.
Ti pate besë. Ata kanë llogari në emër të grave.
Ti pate vetëm një uniformë. Ata kanë një veshje për çdo rrenë.

Na ke lanë me amanetin për me e nderu këtë tokë.
E ne po mbajmë zi për idealin që vdiq.
E vetmja krenari që na ka mbet është që s’jemi si ata.
Po s’na del as zani, se kush flet – përjashtohet. Kush kundërshton – izolohet.
Populli është lodh, komandant. S’është dorëzu, por është therë përbrenda.

Sot, më shumë se kurrë, e ndjej që liria pa drejtësi është vetëm një fjalë bosh.
Shteti për të cilin luftuam është në dorë të njerëzve që kurrë s’e deshën atë.
E ne – ushtarët e mbijetuar – ndjejmë faj.
Jo që jetuam, por që nuk arritëm me e ruajt atë që ti na e le amanet.