Jeton Gashi ngre alarmin: rruga në Përqevë është shndërruar në deponi mbeturinash

Çështja e ndotjes dhe gjendjes së rëndë të rrugës në fshatin Përqevë është ngritur si shqetësim në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Klinë nga përfaqësuesi i fshatit, Jeton Gashi.

Gjendja e rrugës që lidh Gllarevën me Përqevën është rënduar ndjeshëm ditëve të fundit, pasi ajo është mbushur me mbeturina në të dy anët, duke u kthyer praktikisht në një deponi të hapur.

Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për situatën, duke theksuar se përveç vështirësimit të qarkullimit, hedhja e mbeturinave po vazhdon çdo ditë nga persona të pandërgjegjshëm, përfshirë edhe biznese të ndryshme.

Sipas Gashit, më 5 prill pritet të organizohet një aksion për pastrimin e kësaj zone, ndërsa ai ka kërkuar edhe mbështetje nga Komuna dhe Policia për të parandaluar dhe ndëshkuar ata që hedhin mbeturina në mënyrë të paligjshme.

Banorët presin që pas këtij reagimi institucional të ndërmerren hapa konkretë për zgjidhjen e problemit dhe rikthimin e pastërtisë në këtë zonë.Klina info