Isak Neziri jetëson Fondacionin “Leotrim Ahmeti”, ndahen 39 bursa për nxënës nga 8 komuna

Në një organizim të mbushur me emocione, dhimbje dhe krenari, në Skenderaj sot u jetësua zyrtarisht Fondacioni “Leotrim Ahmeti”, i cili synon të mbështesë arsimin përmes ndarjes së bursave për nxënës në nevojë.

Kështu ka bërë të ditur kandidati me numër 99 në listën e PDK-së, Isak Neziri, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar se sonte janë ndarë gjithsej 30 bursa për nxënës nga 8 komuna të Kosovës.

“Lot. Emocione. Dhimbje. Krenari. Me nënën Shukrije, shumë nxënës dhe prindër sonte në Skenderaj ndamë 30 bursa për 8 komuna të Kosovës. E jetësuam Fondacionin ‘Leotrim Ahmeti’ duke përjetësuar emrin e Leotrimit të vogël 7-vjeçar”, ka shkruar Neziri.

Ai ka shtuar se misioni i këtij fondacioni do të jetë afatgjatë dhe me vlera kombëtare.

“Misioni i kësaj nisme do të jetojë po aq gjatë sa të ekzistojë populli shqiptar”, thekson Neziri.

Në këtë ngjarje të veçantë, sipas tij, ishte e pranishme edhe kolegia Sala Jashari, të cilën ai e ka falënderuar për pjesëmarrjen dhe mbështetjen.

Fondacioni “Leotrim Ahmeti” synon të shndërrohet në një platformë të qëndrueshme për përkrahjen e arsimit dhe të rinjve në Kosovë, duke e kthyer dhimbjen në shpresë dhe investim për të ardhmen.