Ipeshkvia e Kosovës në mbështetje të marshit “Drejtësi, jo politikë”

Ipeshkvia e Kosovës ka dalë në mbështetje të marshit “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të organizohet më 17 shkurt në Prishtinë.

Kjo është bërë e ditur në një takim që përfaqësuesit e platformës “Liria ka emër” me Ipeshkvin e Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji.

Sipas platformës në fjalë, kur bashkësitë fetare, qytetarët dhe shoqëria civile bëhen bashkë në emër të drejtësisë së paanshme, mesazhi merr peshë edhe më të madhe.

“Faleminderit Ipeshkvit të Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, për pritjen dhe përkrahjen e qartë për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt. Mbështetja e Ipeshkvisë së Kosovës dhe e komunitetit katolik është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore. Kur bashkësitë fetare, qytetarët dhe shoqëria civile bëhen bashkë në emër të drejtësisë së paanshme, mesazhi merr peshë edhe më të madhe. Më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, mblidhemi në Prishtinë për një mesazh të qartë: Drejtësi, jo politikë” është thënë në njoftim.