Institucioneve u kërkohet që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol përkujtimor i gjenocidit në Kosovë

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” i është drejtuar me një kërkesë institucioneve të Kosovës, Presidentes, Qeverisë, Kuvendit, deputetëve si dhe partive politike, që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

“Pas konsultimeve të shumta, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” mbështeti idenë e Adnan Asllanit, që lulëkuqja të jetë simbol i viktimave të gjenocidit në Kosovë. Në dallim nga lulëkuqet që përdoren si simbol në shumë vende të tjera, katër petalet e lulëkuqes në logon e dizajnuar prej tij paraqesin katër format e akteve gjenocidare, që Serbia zbatoi në Kosovë: vrasjen, dhunën seksuale, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar”, thuhet në kërkesën e kësaj qendre drejtuar institucioneve të vendit.

Më tej në kërkesë thuhet se përveç domethënies së veçantë që ka çdo petal i simbolit tonë dhe që e dallon nga forma e petaleve që kanë lulëkuqet-simbol të vendeve të tjera, në simbolin e gjenocidit në Kosovë dallon edhe “zemra e lulëkuqes”: në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në logon tonë janë paraqitur figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive, që ishin viktima të këtij gjenocidi.

“Petalet e lulëkuqes në këtë logo janë të vendosura në formën e shkronjës X, për arsye se gjatë luftës, në disa vendbanime ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike, okupatorët serbë kishin shënjuar shtëpitë e shqiptarëve me një X, me qëllim që forcat e armatosura serbe të udhëzoheshin drejt vendeve ku duhej të kryheshin krimet.

Me një fjalë, forma e petaleve dhe figurat e burrave, grave, djemve dhe vajzave simbolizojnë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive, mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion viktima të spastrimit etnik dhe qindra- mijëra shkatërrimeve që u kryen gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.

Si e tillë, mendojmë se kjo logo meriton të jetë simbol i përbashkët i përkujtimit të viktimave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në kërkesë.

SHARE