Inspektorati Farmaceutik realizoi 635 inspektime, shqiptoi 114 gjoba

Në kuadër të objektivës të Ministrisë së Shëndetësisë për t’iu siguruar qytetarëve shërbime shëndetësore cilësore dhe të sigurta, Inspektorati Farmaceutik gjatë periudhës janar – gusht të këtij viti, ka realizuar 635 inspektime, ndërsa ka gjobitur 114 subjekte.

Në vazhdën e aksioneve kontrolluese janë gjobitur 54 subjekte që posedonin produkte të jashtëligjshme, ndërsa 43 raste kur gjatë kontrollit ka rezultuar se në farmacitë e ndryshme mungon farmacisti, siç është e përcaktuar me ligj.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, Inspektorati Farmaceutik ka ndërmarrë masa edhe ndaj 4 institucioneve shëndetësore private të cilat  nuk ishin të licencuara.

Ndaj të gjitha rasteve të cilat e kanë cenuar shëndetin publik janë ndërmarrë masat sipas autorizimeve ligjore.

Ditë më parë, Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia gjatë vizitës në Inspektoratin Shëndetësor bëri të ditur se nga muaji shtator, inspektorëve do t’u paguhen shtesat në vlerë të 250 eurove. Së shpejti do të shtohen edhe kapacitetet inspektuese dhe pas përfundimit të procedurave rekrutuese, numri i inspektorëve shëndetësorë do të shkojë në 37 nga 12 sa janë tani.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore dhe zbatimit të ligjit, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të sinjalizojnë kur hasin në veprimtari të dyshimta të institucioneve shëndetësore”, thuhet në njoftimin për media. .