​Ikja e fuqisë punëtore, tronditje e madhe për vendin

Sindikatat e Pavarura të Kosovës konsiderojnë se mungesa e fuqisë punëtore ka filluar të ndjehet dukshëm në vend. Ato apelojnë për kushte më të mira të punës dhe trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve, pasi konsiderojnë se jo vetëm pagat janë arsyeja e ikjes së punëtorëve. Ndërsa Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë thotë se ka ndërmarrë disa hapa për të parandaluar largimin e fuqisë punëtore nga vendi, duke iu mundësuar të rinjve kyçje në treg të punës e bizneseve punëtorë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi paralajmëron një tronditje të madhe të mungesës së fuqisë punëtore, e cila sipas tij, do të fillojë të ndjehet qysh në pranverë.

Azemi ka përmendur disa faktorë që ndikojnë në ikjen e fuqisë punëtore nga vendi.

“Në bazë të dhënave që i kemi, një tronditje e madhe e mungesës së fuqisë punëtore do të jetë në pranverë, pasi shumë punë, ambientet e jashtme janë ndërprerë dhe ata punëtorë janë bart dhe po punojnë në ambiente të brendshme ku krijohen kushtet. Ndryshe, në momentin kur do të fillojë sezoni i pranverës do të shihet se vërtet atëherë do të jetë goditja më e madhe e Kosovës për mungesën e punëtorëve të sektorëve privat të Kosovës. Jo gjithherë është vetëm paga që përcakton qëndrimin ose ikjen nga Kosova, por është Ligji mbi sigurinë dhe shëndetin në punë dhe ligjet e tjera që kanë të bëjnë me punëtorët e sektorit privat të Kosovës”, thotë Azemi.

Se tashmë veç është duke u ndjerë dukshëm mungesa e fuqisë punëtore thotë edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli.

Hykolli tregon për KosovaPress se kanë dorëzuar kërkesa tek punëdhënësit që të punësuarit t’i trajtojnë në mënyrë të dinjitetshme, pasi sipas tij në këtë formë mund të ndalet edhe ikja e fuqisë punëtore nga vendi,

“Është duke u ndjerë një mungesë e punëtorëve në Kosovë. Ne si BSPK ka kohë të gjatë që kemi ngritur problematikën e vetëdijësimit të punëdhënësve për ruajtjen e të punësuarave të Kosovës, pra ne kemi kërkuar nga punëdhënësit që të punësuarit t’i trajtojnë në mënyrë të dinjitetshme, të kenë rrogë të dinjitetshme, por krahas asaj të kenë një sjellje të mirë në raport me të punësuarit… Edhe në momentin kur të punësuarit nuk i respektojnë punëtorët e vet, atëherë kemi ikje nga vendet e punës… Po të këtë dinjitet te të punësuarit në Kosovë, atëherë besoj se shumica prej punëtorëve nuk kishin pas nevojë edhe të largohen nga Kosova”, thotë Hykolli.

E në drejtim të përmirësimit të kushteve dhe të parandalimit të ikjes së fuqisë punëtore dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka ndërmarrë disa hapa.

Fjolla Smaili-Azemi nga kjo Dhomë thotë se në këtë drejtim kanë nënshkruar memorandume të bashkëpunimit me universitete. Sipas saj, kjo iniciativë shërben që të bëhen urë lidhëse mes universitetit dhe bizneseve anëtare me qëllim që të dyja palët të përfitojnë nga një bashkëpunim i tillë.

“Si dhomë e tregtisë dhe industrisë kemi nënshkruar disa memorandume të bashkëpunimit, kryesisht me Universitetin e Prishtinës dhe me fakultete specifike në kuadër të këtij të fundit, me qëllimin e vetëm që në një formë t’i ofrojmë edhe biznesit fuqi punëtore, por njëkohësisht edhe shumë studentë të cilët diplomohen në fusha dhe departamente të ndryshme të kenë mundësi që ende pa përfunduar studimet të kyçen në tregun e punës. Një iniciativë e tillë ka pasur edhe rezultatet pozitive, sepse ne jemi të vetëdijshëm nga praktika se kemi shumë studentë të cilët diplomohen dhe fatkeqësisht detyrohen të punojnë punë apo profesione të tjera të cilat nuk përputhen aspak me fushën e studimeve të tyre.”, thotë Azemi.

Azemi thotë se një prej arsyejeve kryesore që shumë të rinj dhe të reja po ikin nga vendi duhet të jenë kushtet më të mira të punës dhe një pagë më e mirë për ta, në vendet evropiane, në krahasim me Kosovën.

SHARE