Hyseni kërkon bashkimin e opozitës: Të ndalen politikat rrënuese të Kurtit dhe “noterës” se tij, Vjosa Osmanit

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka kërkuar krijimin e frontit të përbashkët opozitar.

Hyseni në një postim në Facebook, ka thënë se bashkimi i opozitës për të kundërshtuar politikat rrënuese të Albin Kurtit, dhe “noterës” së tij Vjosa Osmani është misioni më i rëndësishëm politik e nacional sot.

“Krijimi i një fronti të përbashkët opozitar për të kundërshtuar politikat rrënuese të Albin Kurtit dhe noterës së tij Vjosa Osmani është misioni më i rëndësishëm politik e nacional sot. Është thirrje dhe alarm për të parandaluar rrëshqitjen e Kosovës në izolim të plotë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste po shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund është ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë”, ka shkruar ai.

Më tutje, ai ka bërë thirrje për bashkim të opozitës, ai ka kritikuar kryetarin e PDK-së dhe atë të LDK-së.

“Është koha e fundit që opozita parlamentare, PDK, LDK dhe AAK, në rend të parë por edhe ajo jashtparamentare e sociale të rreshtohen qartë dhe pa kalkulime kundër popullizmit neokomunist të Kurtit dhe Osmanit. Pozicionimi konformist i Krasniqit dhe Abdixhikut, në pritje të gabimeve rrënuese të Kurtit është i papranueshëm. Ato gabime mund të jenë të pareparueshme! Kosova është shtet, mbi të gjitha falë përkrahjes së pakursyer e vendimtare të botës dhe demokracive perendimore me në krye SHBA-të! Qeveria e Kosovës duhet patjeter të pranojë rekomandimet e partnerëve të vendit tonë që të mos mbetet peng i lojrave me targa”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, opozita duhet të jetë e qartë dhe me zë të lartë të kundërshtojë lojërat mashtruese politike të Kurtit. Ndryshe, të gjithë së bashku po futen thellë e më thellë në grackat e politikës diverzive serbe.

“Rruga e vetme përpara është forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-të dhe vendet tjera të Quintit. Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jetë prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo partie politike në Kosovë”, përfundoi Hyseni.

SHARE