Hovenier: SHBA e shqetësuar që për momentin s’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Ai tha se SHBA është e shqetësuar se nuk ka kushte për momentin për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit,

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë ata që janë të përfshirë të tregojnë vetëpërmbajtje”.

Hovenier gjithashtu ka shkruar se dhuna nuk është asnjëherë mjet për të protestuar, derisa ka dënuar incidentet e djeshme në veri.

Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese, si dhe rrezikimin e jetëve, nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Kryeministri Albin Kurti mbrëmë tha se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës.

Ai tha se për këtë arsye ka edhe prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës për të ruajtur rendin dhe ligjin, derisa ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj që po paguan kriminelët për të destabilizuar situatën.

“Ato e dinë se po ju vije fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë”.

Gjithashtu, Kurti ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e asaj pjese të vendit që të ruajnë qetetësinë dhe rendin.

“Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”.