Hoti nervozohet me Qeverinë: S`kanë lidhje me ekonomi, kanë dyfishuar pagesat avans

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për dyfishim të pagesave në avans për investime kapitale.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka pyetur se si ka mundësi që investimet kapitale gjatë vitit 2022 dhe 2021 të jenë shumë të ulëta, ndera pagesat avans të dyfishohen?

Sipas tij, kjo tregon se Qeveria e Kosovës nuk ka lidhje me ekonomi.

“Këta qeveritarë lidhje me shtet nuk kanë, lidhje me ekonomi e me zhvillim nuk kanë. Bazuar në “Raportin e buxhetit për 2022”, Qeveria i ka dyfishuar pagesat avans për investime kapitale. Gjatë vitit 2022 pagesat avans kanë shkuar në 88.1 mil euro. Në vitin 2021 kanë qenë 47.5 mil euro, ndërkaq në vitin 2020 kanë qenë vetëm 20.1 mil euro. Si ka mundësi që investimet kapitale gjatë vitit 2022 dhe 2021 të jenë shumë të ulëta, ndërkaq pagesat avans të dyfishohen secilin vit?!”, ka shkruar Hoti.

Ai ka bërë me dije se qeverisë do ti duhet punë për t`i sqaruar këto pagesa.

“Besoj se Qeveria ka shumë punë për të sqaruar arsyeshmërinë e këtyre pagesave. Ky raport i buxhetit ka plot anomali të tjera, të cilat do të bëhen të ditura në ditët në vijim”, ka shkruar Hoti.