Hoti dhe anëtarët e tjerë të delegacionit testohen për COVID-19, të hënën nisen drejt Washingtonit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit për dialogun Kosovë-Serbi, do të nisen të hënën për në Washington, ku do të takohen me palën serbe.

Kryeministri Hoti do të jetë kryesues i delegacionit, ndërsa pjesë e kësaj ekipe do të jenë edhe disa zyrtarë të qeverisë. Bëhet fjalë për dy zëvendëskryeministrat, Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj-Halimi, ministrat nga radhët e AAK-së, Selim Selimi dhe Meliza Haradinaj-Stublla, is dhe ministri i Infrastrukturës Abran Abrashi, Koordinatori Shtetëror Skender Hyseni dhe shefja e kabinetit të kryeministrit Hoti, Ardita Dushi.

Këto informacione i ka bërë të ditura për Gazetën Sinjali, këshilltari i kryeministrit Hoti, Xhavit Beqiri.

“Përveç kryeministrit Hoti si kryesues i dialogut, në delegacionin shtetëror të Kosovës, në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë do të marrin pjesë dy zëvendëskryeministra. Është Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj-Halimi. Do të jetë ministri i Drejtësisë Selim Selimi dhe ministri Infrastrukturës Arban Abrashi, po ashtu edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla dhe shefja e stafit të kabinetit të kryeministrit, Ardita Dushi dhe koordinatori Shtetëror Skender Hyseni”, ka thënë këshilltari i Hotit, Xhavit Beqiri në një prononcim për Gazetën Sinjali.

Beqiri ka theksuar se i gjithë delegacioni i palës kosovare janë testuar për koronavirus, por të njëjtit do të testohen edhe në SHBA.

Ai shtoi se për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, nuk do të ketë staf përcjellës në këtë udhëtim.

“Nuk do të ketë staf përcjellës për shkak të gjendjes me COVID-19, anëtarët e delegacionit i janë nënshtruar testit për COVID-19, sigurisht do t’i nënshtrohen edhe kur të shkojnë atje”, tha Beqiri.

Këshilltari i Hotit, Xhavit Beqiri, duke mos i komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se me të pajtohen vetëm në një pikë, në njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përpos këtyre temave që i ka paralajmëruar ambasadori Grenell ende nuk kemi ndonjë agjendë. Në këtë pikë pajtohemi me presidentin Vuçiq që ky proces i dialogut është proces për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme e cila sigurisht kruciale do të ketë njohjen reciproke. Nuk po e komentoj frikën e Vuçiqit. Ashtu siç ka thënë kryeministri Hoti, ky proces i dialogut duhet të përfundoj më një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme. Përndryshe i gjithë ky proces nuk ka kuptim pa njohje reciproke”, ka thënë ai.

Gjatë ditë së sotme, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se është i frikësuar nga surprizat e mundshme në takimin e 4 shtatorit në Washington.

Vuçiq, ka thënë se do të refuzojë të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kërkojnë që Serbia të pranojë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Meqenëse mendoj se e di se cila mund të jetë përmbajtja e asaj surprize, sepse unë e ndiej atë dhe jo sepse kam të dhëna, ka më shumë të ngjarë që unë t’i refuzoj ato dhe se takimi nuk do të zhvillohet,” tha ai. 

SHARE