Hazir Jakupaj nderohet pas vdekjes me mirënjohje për kontributin në luftën çlirimtare nga Sokol Bashota

Pas ngushëllimeve, sot në familjen Jakupaj në fshatin Caravik, u dorëzua një mirënjohje post-mortum për Hazir Jakupajn, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ndërroi jetë para dy ditësh në vendin e tij të punës.

Mirënjohja u dorëzua nga kryetari i degës së PDK-së në Klinë, z. Sokol Bashota, në emër të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dega në Klinë. Ajo iu dha z. Din Jakupaj, babait të dëshmorit Fitim Jakupaj dhe njëkohësisht vëllait të të ndjerit Hazir Jakupaj.

“Kjo mirënjohje është një shenjë nderimi dhe respekti për kontributin e çmuar të Hazir Jakupaj në luftën për çlirimin e Kosovës si pjesëtar i njësitit ‘Zogu’ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës së Hazirit!”, deklaroi Bashota në postimin e tij publik.

Hazir Jakupaj ishte njëri nga luftëtarët e devotshëm të UÇK-së në zonën e Dukagjinit dhe pjesëmarrës aktiv në betejat për liri. Ndarja e tij e parakohshme nga jeta është cilësuar si humbje e madhe për familjen, bashkëluftëtarët dhe komunitetin lokal.

Në këtë ceremoni të thjeshtë, por domethënëse, u vlerësua edhe sakrifica e familjes Jakupaj, e cila ka dhënë shumë për lirinë e vendit.