Haxhiu takohet me anëtarët e Komisionit të Venecias, temë “Byroja për konfiskimin e pasurisë”

Një delegacion nga Komisioni i Venecias, i përbërë nga raportuesit James Hamilton dhe Dan Meridor, si dhe Michael Janssen – përfaqësues nga Sekretariati i KV-së, u pritën në takim nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se në takimi kishte për qëllim diskutimin për Projektligjin për themelimin e byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, në prag të përgatitjes së opinionit për këtë projektligj.

Haxhiu së bashku me anëtarët e grupit punues thuhet se i njoftuan raportuesit për qëllimin e Projektligjit dhe argumentuan në secilën çështje që u adresua nga ta.

“Ministrja Haxhiu falënderoi delegacionin e Komisionit të Venecias për ndihmën profesionale që po ia ofrojnë Republikës së Kosovës përmes opinioneve.

Konsultimet me Komisionin e Venecias janë tejet të vlefshme dhe si të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.