Haxhiu: Opozita do që t’i lëshojmë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të opozitës për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se janë për keqardhje dhe të turpshme qëndrimet e subjekteve opozitare.

“Vendimet e Qeverisë janë të drejta dhe të ligjshme. Qëllimi i tyre është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial prandaj edhe do të duhej të kishte unifikim rreth tyre”.

“Fatkeqësisht, opozita e sotme apo qeveria e djeshme as atëherë as tash nuk mbështesin vendimet e drejta, madje sot vuajmë pasojat e marrëveshjeve të tyre të dëmshme. Ata duan që t’i lëshojmë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit, disa për shkak të lidhjeve me strukturat kriminale e disa të tjerë e kanë mendjen veç tek pushteti”, ka thënë Haxhiu.