Handikos Klinë organizon aktivitet në Bjeshkët e Rugovës për fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara

Shoqata Handikos Klinë, në kuadër të projektit “Fuqizimi i Personave me Aftësi të Kufizuara”, ka organizuar një aktivitet të veçantë në Bjeshkët e Rugovës, ku pjesëmarrësit kanë kaluar një ditë të mbushur me natyrë, ajër të pastër dhe aktivitete fizike.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte jo vetëm argëtimi dhe shëndeti, por edhe krijimi i hapësirave të barabarta dhe mundësive për socializim. Pjesëmarrësit shijuan bukuritë e Rugovës, forcuan shëndetin e tyre dhe mbi të gjitha kaluan çaste të paharrueshme së bashku.

“Ky lloj organizimi na jep energji dhe forcë, duke na kujtuar rëndësinë e përkrahjes së ndërsjellë dhe të përfshirjes së plotë në shoqëri,” u theksua nga përfaqësuesit e shoqatës.

Shoqata Handikos Klinë do të vazhdojë të krijojë mundësi të ngjashme për të kontribuar në mirëqenien dhe integrimin e plotë të personave me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore.