Gjykimi për veteranët e rrejshëm të UÇK-së, i akuzuari nuk paraqitet në Gjykatën e Pejës

Veterani luftëtar i UÇK-së, Afrim Morina i akuzuar se ka prezantuar dokument të falsifikuar me qëllim të përfitimit të pagës se statusit të veteranit luftëtar, nuk është paraqitur sot në Gjykatë.

“Shqipe Morina, motra e të akuzuarit ka njoftuar Gjykatën se vëllai i saj gjendet në Malin e Zi për shkaqe shëndetësore”, deklaroi gjykatësi Ahmet Rexhaj.

Për këtë vepër penale i akuzuari është deklaruar i pafajshëm në seancën e kaluar.

Prokurorja e çështjes Lumturije Vuçetaj në seancën e kaluar ka bërë plotësimin e dispozitivit të aktakuzës, duke specifikuar dëmin material në shumën prej 3,740 euro që i është shkaktuar MPMS-së.

Sipas aktakuzës Afrim Morina ka mashtruar organin kompetent, kur në MPMS-së ka prezantuar dokumentin e falsifikuar me qëllim të përfitimit të pagës se statusit të veteranit luftëtar.

I akuzuari në Prokurori ka deklaruar se dokumentin e falsifikuar e ka siguruar nga një person të cilin e ka takuar te Enti Social.

“I moshës 35 vjeçare me theks pejan”, e kishte përshkruar i akuzuari personin që ia ka siguruar dokumentin e falsifikuar sipas Prokurorisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me rastin e ndërprerjes së pensionit, të akuzuarin e ka pranuar një drejtoreshë në zyrë në kuadër të MPMS-së, që i akuzuari ka pranuar informacion se është motra e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Kujtojmë se, Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 7000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”.

Sipas të dhënave qe ka siguruar KALLXO.com deri më tani Prokuroria e Pejës ka ngritur mbi 40 aktakuza lidhur me këtë dosje.

Seanca është shtyer në afat të pacaktuar.

SHARE