Gjithçka gati Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”

Klinë, 21 maj-Të gjitha përgatitjet për organizimin e Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, në Klinë, që mbahet më 6, 7 dhe 8 qershor të këtij viti janë në përfundim e sipër .

Sivjet është edicioni 23-të me radhë i festivalit dhe nis në Çabiq, në vendlindjen e Mujë Krasniqit- Kapuçit, njërit nga komandantët më të shquar të UÇK-së. Në hapjen solemne të festivalit para Kullës muze, më këngë e valle do të paraqitën grupe artistësh rapsodë e instrumentistë nga të gjitha trojet shqiptare.

Komuna Klinës edhe sivjet e ka mbështetur Festivalin me mjete financiare. Ndërkaq festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, Prof.Dr.Zenun Elezaj.
Komuna, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport bashkë me Këshillin
Me kohë i ka bërë të gjitha përgatitjet që festivali të jetë sa më i suksesshëm, si dhe ka angazhuar në staf komunal për mbarëvajtjen e festivalit.

Gjithçka po bëhet sipas planit për pritjen e pjesëmarrësve të festivalit. Tashmë procedurat e prokurimit kanë përfunduar, siç e parasheh ligji. Drejtoria Artistike e Festivalit ka përfunduar përzgjedhjen e ansambleve, grupeve artistike e të rapsodëve.

Edhe sivjet kemi pjesëmarrës te të gjitha trojeve shqiptare, ku në skenë do të ngjiten për tri ditë rresht këngëtarë, valltarë e instrumentistë për të shpalosur vlera të folklorit burimor, e tradita kombëtare.

Pjesëmarrja është masovike, do të jenë rreth 700 pjesëmarrës. Festivali nis në Çabiq, ku edhe atje janë bërë përgatitjet e duhura. Në Çabiq do të shtrohet edhe sofra tradicionale e këtij fshati, ku në nderim të festivalit dhe të bashkëfshatarit e komandant Mujës do ta shtrojnë sofrën tradicionale me ushqimet tradicionale. Festivali “I Këndojmë Lirisë”, ka karakter garues.

Në përmbyllje të festivalit ndahen edhe çmimet kryesore të festivalit. Çmimi kryesor është “Mujë Krasniqi”, vendi i dytë, vendi i tretë, teksti më i mirë i këngës, interpretuesi më i mirë, çmimi i publikut, vallja më e mirë, instrumentisti më i mirë, veterani i festivalit, veshja më autentike, e të tjerë. Për të gjitha këto çmime vendos juria profesionale. Në kuadër të festivalit zhvillohen edhe aktivitete të tjera.

Ndërkaq, gjatë mbajtjes së festivalit, botohet edhe revista periodike “Lyra”, e cila përfshinë të gjitha aktivitetet që zhvillohen në kuadër të festivalit, duke përfshirë edhe kronikat e të tri netëve të festivalit.

Enver Maloku, zëdhënës i Festivalit