Gjermania ka një lajm të mirë për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës

Këshilli Federal po shqyrton aktualisht një projekt-rregullore të re për lejet e drejtimit të automjeteve në Gjermani. Njëra nga pikat është edhe njohja e patentë shoferëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo njohje për emigrantët me banim në Gjermani së shpejti pritet të bëhet më e lehtë. Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit i ka kërkuar Këshillit Federal që të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e lejeve të drejtimit të automjetit, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Shqipëria, Kosova, Moldavia, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut.

Cilat patenta njihen pa provime?

Sipas draftit, qeveria gjermane propozon njohjen e patentave nga Shqipëria pa provime në teori dhe praktike për pothuajse të gjitha kategoritë:

A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE. Vetëm për patentat nga Shqipëria që i përkasin kategorisë AM për konvertimin do të kërkohet një provim praktik.

Për lejet e drejtimit nga Kosova është parashikuar konvertimi pa provime shtesë në këto kategori: AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.

Kursime prej së paku 1000 euro për çdo emigrant. Ndryshimet priten të lehtësojnë jetën e mijëra emigrantëve që kanë ardhur nga Shqipëria dhe Kosova në Gjermani.

Projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet më 26 janar në seancën e rregullt të Komisionit për Komunikime digjitale dhe Transporte, i thanë DW burime nga Këshilli Federal. Nëse nuk ka propozime për ndryshime, rregullorja mund të miratohet qysh më 11 shkurt, në seancën plenare të Këshillit Federal.