Gjermania dërgon ekspertë mjekësorë në Kosovë për të ndihmuar në luftën kundër COVID-19

Nesër në Kosovë do të vijë një ekip i ekspertëve nga Gjermania dhe do të qëndrojë dy javë për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit,

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media, ku kanë treguar se ceremonia e pritjes së këtij ekipi do të fillojë në orën 10:00 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Nesër në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) do të mbahet ceremonia e pritjes së misionit të ekspertëve COVID-19 “Joint Robert Koch Institute/EMT/GOARN- mission to Kosovo” nga Gjermania. Ekipi i ekspertëve epidemiologjikë dhe mjekësorë nga instituti gjerman i shëndetit publik “Robert Koch Institute” do të qëndrojë në Kosovë për dy javë për të ofruar ndihmë në lidhje me nevojat COVID-19 në Kosovë. Misioni i Ekspertëve do të drejtohet nga Dr. Andreas Jansen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në këtë ceremoni pritet të marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Në ceremoni do të marrin pjesë ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ambasadori gjerman Jörn Rohde, znj. Ulrika Richardson, koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë dhe z. Sergei Koryak, udhëheqës i Zyrës së OBSH-së në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.