Gjeneralmajori Angelo Michele Ristuccia emërohet komandant i ri i KFOR-it

Është ndërruar sot komanda e KFOR-it. Komandant i 27-të i KFOR-it është gjeneralmajori italian, Angelo Michele Ristuccia.

Në ceremoninë e ndërrimit të Komandës se KFOR-it, gjeneralmajori i ushtrisë hungareze, i cili deri sot ishte komandant i KFOR-it, Ferenc Kajari u shpreh i habitur se sa shpejt ka kaluar koha prej kur mori këtë pozitë dhe sa kanë arritur.

Ai ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij.

“Duke pasur parasysh këtë, mendoj se mund të them me siguri se puna ime si komandant i KFOR-it nuk do të kishte qenë kurrë kaq e suksesshme, nëse nuk do të ishte për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe vetëmohues të stafit të KFOR-it dhe njësive vartëse. Kam pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga Komandat Rajonale, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Bashkëpunimi mes tyre dhe Shtabit të përgjithshëm ishte dhe vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm. Sytë dhe veshët e KFOR-it, batalioni i ISR-së, gjithmonë kanë pasur një vend të veçantë për mua, duke qenë nga fusha e Inteligjencës. Unë isha shumë krenar që i pashë ata të përparonin dhe ne ishim në gjendje të merrnim vendime në kohë bazuar në raportet e tyre”, tha ai.

Gjeneralmajori hungarez në këtë ceremoni u shpreh se secili person në Shtabin e KFOR-it e bëri mision të tij personal që të kenë sukses.

Gjeneralmajori Kajari tha se marrëdhëniet me institucionet e Kosovës ishin shumë të mira.

“Në nivel lokal, marrëdhënia me institucionet në Kosovë ishte shumë mirë e trajtuar, partnerët ishin gjithmonë të gatshëm të takoheshin dhe të bashkëpunonin edhe pas njoftimit për një kohë të shkurtër – gjë që shpesh ishte e nevojshme. Akterët ndërkombëtarë dhe kolegët e mi krerë të misioneve, si dhe ambasadorët dhanë mbështetje të jashtëzakonshme dhe besoj se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit ishte kyç gjatë periudhave më sfiduese”, shtoi ai.

Komandanti i 27-të i KFOR-it, gjeneralmajroi italian, Angelo Michele Ristuccia fjalimin e tij të parë në këtë pozitë e filloi duke kujtuar të gjithë të rënët jo vetëm pjesëtarë të këtij misioni por edhe të gjithë familjarët e viktimat e rënë në konflikte në rajonin e Ballkanit.

Ristuccia tha se sakrifica e tyre meriton angazhimin e tyre për të garantuar paqe siguri dhe stabilitet.

“KFOR-i është një histori suksesi dhe ky sukses është rezultat i përkushtimit të të gjithë atyre që, politikisht dhe në terren, kanë kontribuar për stabilitetin, sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe që kanë mbështetur zhvillimin e një dialogu konstruktiv ndërmjet palëve. Ato janë pasuri të çmuara, të vlefshme dhe të panegociueshme. Ky angazhim nuk duhet harruar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, tha ai.

Komandanti i sapo emëruar i KFOR-it, u zotua se me përkushtim të plotë do ti përmbush detyrat e tij të përcaktuara në këtë mandat.

“Falënderoj Autoritetet Politike e Ushtarake Italiane dhe ato Shumëkombëshe, që më kanë besuar këtë detyrë. I siguroj ata se jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe sfidat e mëdha që duhet të përballen. Jam i sigurt në mbështetjen e tyre, por i siguroj se këto sfida do t’i kthejmë në mundësi me transparencë, paanshmëri, vendosmëri, konsistencë me mandatin, në sinergji me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe EUSR-në për Kosovën, EULEX-in, UNMIK-un, OSBE-në, dhe në konsultime të ngushta me organizatat e sigurisë së Kosovës, shefin e Mbrojtjes së Serbisë dhe akterë të tjerë në rajon”, tha ai.