Gjenerali i Brigadës së Forcës Tokësore në FSK, Hysen Dreshaj, viziton Organizatën e Veteranëve të UÇK-së në Klinë

Gjenerali i Brigadës së Forcës Tokësore në Forcën e Sigurisë së Kosovës Hysen Dreshaj, realizoi sot një vizitë në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Klinë.

Në këtë vizitë, gjenerali Dreshaj u prit nga kryetari i OVL-UÇK-së në Klinë, Hajdin Balaj, dhe Hajzer Shala.

Me këtë rast, gjenerali Dreshaj i dhuroi një dekoratë kryetarit Balaj, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij dhe të Organizatës së Veteranëve në çështjen kombëtare dhe në ruajtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Gjenerali Dreshaj shprehu falënderim të veçantë për angazhimin dhe përkushtimin e Hajdin Balajt dhe të gjithë veteranëve të komunës së Klinës, duke theksuar se kontributi i tyre në luftë dhe në paqe është i çmuar dhe i pashlyeshëm.

Nga ana e tij, kryetari Hajdin Balaj falënderoi gjeneralin Dreshaj për vizitën dhe për vlerësimin e dhënë, duke potencuar se bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe Organizatës së Veteranëve është i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë së luftës dhe forcimin e institucioneve të vendit./Klina info/