Gallup: Bota, e zemëruar dhe e stresuar

Njerëzit në të gjithë botën po bëhen gjithnjë e më të zemëruar, më të stresuar dhe më të shqetësuar. Ky është përfundimi i një studimi të ri global të kryer nga Gallup.

Nga rreth 150 mijë njerëzit e intervistuar në më shumë se 140 vende, një e treta thanë se ata vuanin nga stresi, ndërsa të paktën një në pesë përjetonte trishtim apo zemërim.

Raporti i përvitshëm i emocioneve i Gallup ka pyetur njerëzit për përvojat e tyre pozitive dhe negative. Vendi më negativ ka qenë Çadi, i pasuar nga Nigeri. Vendi më pozitiv, në anën tjetër, ishte Paraguaji. Kërkuesit u fokusuan tek eksperiencat e pjesmarrësve një ditë para sondazhit. Intervistuesve iu bënë pyetje si: keni qeshur dje? Dhe “A je trajtuar dje me respekt?” në një përpjekje për të marrë një panoramë mbi eksperiencat e përditshme të njerëzve.

Rreth 71 për qind e të anketuarve thanë se kishin përjetuar një sasi të konsiderueshme kënaqësie një ditë para sondazhit. Por, sondazhi zbuloi se nivelet e stresit ishin në lartësi të reja ndërsa nivelet e shqetësimit dhe trishtimit po ashtu janë rritur. 39 për qind e të anketuarve thanë se janë të shqetësuar dhe 35 për qind të stresuar.

Vendet e Amerikës Latine, përfshirë Paraguajin, Panamanë dhe Guatemalën kryesonin listën e eksperiencave pozitive. Ndërsa Çadi dhe të tjera vende afrikane renditeshin në skajin e kundërt. Greqia ka popullatën më të stresuar në botë, me 59 për qind të të anketuarve që thonin se kanë përjetuar stres një ditë para sondazhit.

Rreth 55 për qind e amerikanëve të rritur po ashtu thanë se ishin të stresuar.

Shqipëria nuk përmendet në raportin e Gallup, megjithatë, në hartë, ajo paraqitet me ngjyrë të gjelbër të errët, çka e rendit atë mes vendeve të stresuara jo pak.