Foshnja e vetme e prekur me COVID-19 lirohet nga QKUK-ja

Tash e pesë muaj qytetarët e vendit tonë po ballafaqohen me pandeminë COVID-19, ndërsa numri i të infektuarve ka shkuar mbi 5000. Kjo gjendje vazhdon të jetë mjaftë shqetësuese, por po sjellë edhe dëme të mëdha, përveç sistemit shëndetësor edhe në atë ekonomik.

Ky virus, që mbetet ende enigmë, pavarësisht kërkimeve, madje kërkimet për ilaç dhe vaksinë po vazhdojnë gjithandej globit, por ende pa një sukses, gjë që ka bërë edhe vet OBSH-në të “dorëzohet” në konkludimet që jep.

Ani pse ishte menduar që fëmijët janë imun ndaj këtij virusi, kjo “teori” ka rënë poshtë. Madje edhe në Kosovë pati një rast të tillë. Një foshnje e posalindur doli të ishte infektuar e këtë virus e mori pikërisht nga nëna e saj. Por, fatmirësisht sot kjo foshnje është liruar nga trajtimi spitalor dhe gjendja e saj është stabile. Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, Drejtori i Neonatologjisë, dr, Xhevdet Gojnovci.

“Foshnja ka lindur me datën 22 qershor në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, pastaj është liruar në gjendje të mirë shëndetësore, ka shkuar në shtëpi.

Me datë 6 korrik, është pranuar në Klinikën e Neonatologjisë me temperaturë që ka pas problem dhe me sistemin respirator. Pas anamnezës që i është marrë nga nëna, e cila konfirmon se ka pasur anëtarë të familjes me COVID pozitiv, ne kemi kontaktuar organet kompetente pranë QKUK-së, i kemi marrë mostrat nga foshnja dhe nëna, në këtë rast kanë rezultuar të dy pozitivë.

Menjëherë foshnja është transferuar në kujdesin intensive në hapësirën e veçantë të Klinikës së Neonatologjisë ku është rezervuar të merr kujdes vetëm kjo foshnje. Foshnja është trajtuar fillimisht me oksigjen sipas protokollit. Pas dy ditësh i është ndërprerë temperature dhe ka filluar të përmirësohet, janë bërë edhe ekzaminimet radiologjike të cilat dje më datë 13 ku është përsëritur nuk vërehen ndryshime, që d.m.th është përmirsuar sistemi respirator.

Sot foshnja është liruar nga Klinika e Neonatologjsë me gjendje të përmirsuar dhe është pranë prindërve”, tha ai.

Gojnovci thotë se deri më tani janë 10 raste kur nënat kanë dalë pozitiv me COVID-19, por që fatmirësisht të gjitha foshnjet e tyre kanë rezultuar negativ.

“Ne kemi dikund 10 nëna së paku sa kemi informacion që kanë qenë me COVID pozitiv. Të gjitha foshnjet i kemi testuar dhe kanë dalë deri në këtë moment negativ. Ende nuk dihet rruga e përhapjes së infeksionit nga nëna tek foshnja. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme. Kjo pandemi në çdo moment ndryshon, ka njohuri të pakta. Është një lloj konfuzioni në raport me informimit të opinionit, kështu që edhe tek foshnjat është e njëjta problematikë.

Fillimisht është mendu që foshnjet nuk i atakon, por pastaj janë lajmëruar raste të pakta në të gjitha shtetet e botës që ka prek pandemia. Ky është rasti i parë tek ne që fatmirësisht është në gjendje stabile”.

Krejt në fund doktori kosovar ka edhe një mesazh për të gjithë qytetarët.

“Të iu përbahen rregullave, këto na mbrojnë. Nga këtu jap mesazh që foshnjet nuk i kursen, sado që është proklamuar se ato s’i prek, por ka raste dhe ne kemi mësuar se edhe ato japin simptoma të njëjta si me të rriturit”, apelon drejtori i Klinikës së Neonatologjisë.

Kujtojmë që deri më tash nga 5118 të infektuar, 2370 prej tyre janë shëruar, ndërsa nga ky virus kanë vdekur 108 persona, shumica nga ta kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese./