FFK-ja ia prish festën Dukagjinit te Klinës,merr këtë vendim:

Komisioni i Garave i Federata e Futbollit të Kosovës ka marrë vendim që ndeshja Dukagjini (Klinë) – Vushtrria të regjistrohet me rezultat zyrtar 3-0 në të mirë të Vushtrrisë.

Ndeshja e zhvilluar të dielën kishte përfunduar me fitoren e Dukagjinit 4-3 megjithatë Vëllaznimi është ankuar Granit Elezaj nuk ka pasur të drejtë lojë dhe në këtë mënyrë Komisioni i Garave e ka shqyrtuar ankesën dhe ka marrë vendim që ndeshjen ta regjistroj me rezultat zyrtar 3-0

Pas kësaj humbje Dukagjini mbetet në vendin e dytë në Ligën e Parë me 56 pikë 1 më tepër se Besa që është në vendin e tretë i cili dërgon në barazh. Kanë mbetur edhe dy javë deri në fund të stinorit.

 

Ky është njoftimi i FFK-së:

Vendim i KG-së për ndeshjen Dukagjini – Vushtrria 

Komisioni i  Garave i Ligës së Parë të Kosovës në futboll në përbërje Ismet Ahmeti, Isuf Ajeti, Abdyl Bellopoja me rastin e regjistrimit të ndeshjeve të javës së 28-të, konstatoi se KF “2 Vëllaznimi” nga Gjakova konform nenit 59 paragrafi 2 të Propozicionit të Garave, si palë e tretë e interesuar me rezultatin e ndeshjes, ka ushtruar  ankesë në parregullsinë e ndeshjes së Ligës së Parë ndërmjet  KF “Dukagjini” – KF “Vushtrria ”, andaj konform nenit 60 paragrafi 6 të Propozicioneve të Garave e nxori këtë:

V E N D I M

Miratohet ankesa e KF “Vëllaznimi ” nga Gjakova si e bazuar dhe ndeshja e javës së 28-të të Ligës së Parë ndërmjet KF “Dukagjini” – KF “Vushtrria”  regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF “Vushtrria”.

ARSYETIM

Komisioni i Garave  me  rastin e regjistrimit të ndeshjes KF “Dukagjini” – KF “Vushtrria” e vlefshme për javën e 28-të të Ligës së Parë, konstatoi se KF “Vëllaznimi ”  ka ushtruar ankesë në parregullsinë e paraqitjes së lojtarit të KF “Dukagjini”, Granit Elezaj me nr. Lic.7 dhe  ID002360M96 për shkak se lojtari është aktivizuar në lojë pas  4 kartonëve të verdhë.

Gjatë administrimit të provave Komisioni i Garave ka konstatuar se: Ankesa është e afatshme, e lejuar e taksuar dhe i  përmbush të gjitha kushtet për shqyrtim dhe vendimmarrje nga Komisioni i Garave.

Pas administrimit të të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se:

Pas shikimit dhe verifikimit  të protokolleve zyrtare të ndeshjeve KG ka vërtetuar se lojtari i lartpërmendur ka qenë i ndëshkuar me kartonë të verdhë në: (javën 1-rë), Dukagjini-Fushë Kosova (javën e 22-të), Dukagjini-Vllaznia P, (javën e 23-të) Vitia-Dukagjini, (javën  e 27-të) Bashkimi (K) – Dukagjini dhe është dashur të pushojë në javën e 28-të. Por i njëjti është aktivizuar në lojë, andaj kemi shkelje të Propozicioneve, pikërisht të nenit 53, paragrafi 1, prandaj ankesa e KF “Vëllaznimi” miratohet si e bazuar dhe ndeshja KF Dukagjini – KF Vushtrria, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 për KF “Vushtrria”.

Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

KËSHILLË JURIDIKE: Palët e pakënaqur kanë të drejtë ankese në afatin prej 8 (tetë) ditëve, nga dita e pranimit të vendimit, Organit të shkallës së dytë (Komisionit për ankesa, sipas procedurës së paraparë me Propozicione e Rregullore të FFK-së). Publikimi bëhet në faqen zyrtare të FFK-së, dt. 13.05.2019.

FEDERATA E FUTBOLLIT E KOSOVËS

Kryetari i Komisionit të Garave
Ismet AHMETI