Enver Berisha pritet të kandidojë për kryesues të Kuvendit, më 11 dhjetor nis mandati i ri

Sipas burimeve të Klina Info, asamblisti Enver Berisha pritet të jetë kandidati zyrtar për pozitën e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Klinës. Kandidatura e tij pritet të shqyrtohet gjatë mbledhjes inauguruese, e cila do të shënojë fillimin e mandatit të ri qeverisës.

Komuna e Klinës më 11 dhjetor 2025 do të mbajë seancën solemne të Kuvendit Komunal, ku Prof. Dr. Zenun Elezaj do të bëjë betimin për të nisur zyrtarisht mandatin e tij të radhës si kryetar. Seanca fillon në orën 10:00, në sallën e Kuvendit.

Gjatë këtij takimi, asamblistët e rinj do të betohen dhe do të nënshkruajnë deklaratat për marrjen e mandatit. Pikë kyçe e rendit të ditës është edhe zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit, pozicion që do të drejtojë punimet dhe veprimtarinë e institucionit gjatë viteve të ardhshme.

Me mbledhjen inaugurale të 11 dhjetorit, nis zyrtarisht një periudhë e re e funksionimit të institucioneve komunale në Klinë.