Emërohet drejtori i ri i Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronës në Klinë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka njoftuar emërimin e Nikson Dakës në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronës.

Sipas njoftimit, Daka ka përfunduar studimet themelore dhe master në Administrim Biznesi, si dhe ka ndjekur trajnime profesionale në menaxhim projektesh, duke zhvilluar vazhdimisht aftësitë e tij profesionale dhe menaxheriale.

Ai ka disa vite përvojë në institucione publike dhe angazhime të tjera profesionale. Fillimisht ka shërbyer si asistent në Zyrën e Kryetarit të Komunës, ndërsa nga viti 2023 ka ushtruar detyrën e drejtorit të kësaj drejtorie.

Kryetari Elezaj ka vlerësuar punën e Dakës gjatë mandatit të kaluar, duke theksuar përkushtimin, përgjegjësinë dhe profesionalizmin e treguar në udhëheqjen e drejtorisë.

Ai ka shprehur besimin se Daka do të vazhdojë me sukses drejtimin e Drejtorisë së Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronës edhe në mandatin e ri.