Edhe Bashkimi Evropian i kërkon Kurtit ta shtyjë 10 muaj vendimin për targat

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka konfirmuar se BE kërkon nga institucionet kosovare, që për 10 muaj të shtyjnë afatin për regjistrimin e automjeteve me targa serbe.

Ndonëse e cilëson se vendimi i Kosovës për riregjistrimin  e targave është legjitim, sipas Stanos, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani, të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët atje, dhe në përputhje me praktikat evropiane.

Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për ri-regjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj”, ka pohuar Stano në një përgjigje me shkrim.

Kjo shtrirje, sipas tij, do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur.

Njëkohësisht, pohon Stano, kjo do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbëve të Kosovës në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferi të Kosovës.

“Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeopolitik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon”, ka porositur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano./RTK/