E rrallë/Dy djemtë e dëshmorit ia kthejnë Komunës së Skenderajt banesën sociale

Fëmijët e dëshmorit, Muhamet Musliu, nga Ozdrimi i Skenderjat, Ardian e Kastriot Musliu ia kanë kthyer banesën komunës së Skenderajt e cila u ishte dhuruar si familje e dëshmorit,

Dy djemtë tani jetojnë jashtë vendit dhe pas krijimit të kushteve më të favorshme për jetë, ata kanë vendosur ta bëjnë këtë veprim jo të zakonshëm në vendin tonë.

Këtë veprim të vëllezërve Musliu e ka treguar në Facebook kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari i u shpreh i impresionuar.

Postimi i plotë i Jasharit në FB:

Ardian e Kastriot Musliu, ishin të vegjël kur babai i tyre, Muhamet Musliu, nga Ozdrimi i Skenderajt, kapi pushkën për t’i dalë zot vatanit, për çlirimin e trojeve tona.

Babai i tyre me 27.03.1999, ra në altarin e Lirisë për të mos vdekur kurrë. Që nga ajo ditë e deri me tani dëshmorit Muhamet Musliu nuk iu kishin gjetur eshtrat.

Kështu fëmijët e tij u rriten me dhimbje të dyfishtë, atë të humbjes së babait dhe faktit që ende nuk e dinin se ku gjendeshin eshtrat e më të dashurit të tyre.

Përveç dhimbjes këta dy djem të shkëlqyeshëm dhe familja e tyre u ballafaquan me shumë sfida pas luftës duke u nisur nga banimi të cilin e siguruan me shumë vështirësi në ndërtesat sociale të komunës sonë në Skenderaj në vitin 2009.

Vite me vonë dy djemtë e dëshmorit në mungesë të punësimit e perspektivës vendosen që të braktisin vendin e tyre, vendin për të cilin babai i tyre sakrifikoi edhe jetën.

Nuk ishte aspak e lehtë për ta!

Sot ata kanë arritur që të krijojnë mirëqenie për familjen e tyre, përmes punës që bëjnë në Itali.

U impresionova me vendimin që kishin marrë për të dorëzuar banesën sociale, duke dhënë kështu shembull të mirë për të gjitha familjet tjera që shfrytëzojnë këto banesa.

Në emrin tim dhe në emër të komunës falënderova Ardianin e Kastriotin për qëndrimin e tyre dhe i shpreha mirënjohjet më të thella për familjen e tyre dhe babain dëshmor Muhamet Musliu.

Lavdi dëshmorit Muhamet Musliu dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të Lirisë