Jo rrallëherë ndodhin raste të mosmarrëveshjeve që përfundojnë në përleshje fizike në rrugë në vendin tonë. Një ngjarje e tillë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së kaluar në Prishtinë, ku një konflikt mes tre personave ka përfunduar në përdorimin e mjeteve të ftohta dhe lëndime serioze trupore.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur më 04 maj 2024, rreth orës 00:10, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, afër furrës “Moni”, ku përleshja ka shpërthyer mes tre personave dhe ka degjeneruar në përdorimin e thikave.
Të lënduarit kanë marrë trajtim urgjent në QKUK, dhe sipas ekipit mjekësor ata janë jashtë rrezikut për jetë, pavarësisht natyrës së lëndimeve të rënda trupore që kanë pësuar.
Me të marrë vesh rastin, Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kualifikuar penalisht rastin dhe për të identifikuar motivet e përleshjes. Ende nuk dihet se kush ka qenë nxitësi i konfliktit dhe çfarë e ka shkaktuar përplasjen mes palëve.
Rasti është duke u trajtuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa hetuesit kanë kërkuar edhe raportet mjekësore, thonë burimet në QKUK.
Gazeta Sinjali do të sjellë detaje të tjera nga ky rast që ndodhi në zemër të kryeqytetit, në mesnatë.