Natë koalicionesh- lidhen AAK dhe PDK në Gjakovë

Aleanca për Adhmërinë e Kosovës, dega në Gjakovë, në raundin e dytë të zgjedhjeve ka vendosur të bashkojë forcat me Partinë Demokratike të Kosovës.

Lajmin për arritjen e marrëveshjes për koalicion e ka konfirmuar për Indeksonline bartësja e listës së PDK-së në këtë komunë, Arbënesha Kuqi.

“Ne kemi krijuar koalicion me zotëri Gjinin, kryetarin aktual, dhe para dy orësh është votuar në kryesinë e degës së PDK-së në Gjakovë. Jemi në koordinim të plotë me kryetarin Memli Krasniqi dhe me kryetarin e degës, zotëri Hajdar Beqa dhe gjithë kryesinë”, ka thënë Kuqi për Indeksonline.

Ajo gjithashtu ka shtuar se ky koalicion ka ardhur si dakordim i të dy palëve, për shkak se oferta e Gjinit ka qenë e leverdisshme.

“Unë si kandidate për kryetare nga PDK-ja, dega në Gjakovë në këto zgjedhje iu jap lajmin që ne jemi veçse në koalicion me zotëri Gjinin për shkak se oferta e zotëri Gjinit ka qenë shumë serioze në raport me neve” përfundoi ajo.

Kuqi në zgjedhjet lokale të 17 tetorit mori 3.39% të votave në Gjakovë, ndërsa Ardian Gjini i AAK-së mori 46.00% të tyre.