E rëndë në Pejë: Babai e rrah dhe ia thyen gishtin vajzës 9-vjeçare për një kafe, përfundon në pranga

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në rrugën “Gjergj Fishta” në Pejë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht vajzën e tij të mitur.

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se e mitura, e moshës 9-vjeçare është dërguar në këtë qendër me lëndime të rënda trupore, si pasojë e sulmit nga babai.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari ia ka thyer gishtin vajzës së tij, si dhe e ka rrahur, ku përveç plagëve, i ka shkaktuar edhe shqetësim e frikë të madhe.

Të njëjtat burime thonë se motiv i gjithë rastit dyshohet të ketë qenë një zënkë e momentit lidhur me një kafe, që eskaloi më pas në dhunë.

Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, njësitet përkatëse janë aktivizuar, me ç’rast kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe nisjen e hetimeve për veprën penale “Dhunë në familje”.