E dyshuara për vdekjen e 35-vjeçares ka të kryer shkollimin fillor, ishte rrobaqepëse

Një rast i rëndë ka ndodhur para dy ditësh në Malishevë ku një grua 35 vjeçare ka ndërruar jetë pasi që është paraqitur për ta hequr një dhëmb në një klinikë private në Malishevë. Për pasojë janë arrestuar dy persona për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se ishte arrestuar mjeku Xhavit Karaxha dhe pronarja e ordinancës, Hanife Karaxha.

Të njëjtëve sot u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Sipas njoftimit nga Gjykata Themelore në Gjakovë, e dyshuara Hanife Karaxha ka të kryer shkollimin fillor ndërsa me zanat është rrobaqepëse.

“Ndërsa sipas kërkesës për të pandehurën H. K., “Me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” në Malishevë, pa kualifikim mjekësor kryen trajtime mjekësore e cila është e regjistruar si Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë në emër të pandehurës, ndërsa e njëjta ka të kryer shkollimin fillore, me profesion rrobaqepëse, e ku në ordinancën e cekur më lartë, pas trajtimit mjekësor të dhënë nga vëllai i të pandehurës- i pandehurit Xh. K., ka ndërruar jetë tani e ndjera L. Sh. Po ashtu nga koha e pacaktuar e gjerë me datë 22.08.2023, me dashje dhe pa autorizim falsifikon dokumentin në emër të institucionit tjetër dhe atë të QKMF-së në Malishevë, në atë mënyrë që e njëjta si pronare e biznesit “D.”, me rastin e inspektimit në këtë ordinancë i janë gjetur 18 vërtetime për nxënës dhe student si dhe 16 udhëzime për konsultim të QKMF-së në Malishevë, të gjitha këto dokumente të zbrazëta mirëpo të vulosura me vulën e QKMF-së, pa autorizim nga institucioni përkatës”.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Ilir Rashkaj, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Xh. K., pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ndërsa për të pandehurën H. K., ka vlerësuar se caktimi i masës së arrestit shtëpiak është i mjaftueshëm për sigurimin e prezencës së të pandehurës dhe zhvillimin normal dhe të papenguar të procedurës penale”, thuhet në njoftim.